Faton Hambari
Biography
Faton Hambari është ekspert në fushën e menaxhimit financiar dhe ekonomik, me përvojë profesionale mbi dy dekada në administrimin dhe drejtimin e ndërmarrjeve energjetike, si dhe me angazhim në rregullimin ekonomik dhe mbikëqyrjen e sektorëve të energjisë elektrike, derivateve të naftës, energjisë termike dhe shërbimeve të ujit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1995, me specializim në financë dhe menaxhim ekonomik.
Karrierën profesionale e filloi në Elektroekonominë e Maqedonisë, ku ushtroi funksione drejtuese në sektorin financiar dhe në shpërndarjen e energjisë elektrike në Dibër dhe Strugë. Pas privatizimit të kompanisë në vitin 2006, vazhdoi angazhimin në EVN Maqedoni si koordinator në Departamentin e Shitjes për rajonin veriperëndimor.
Gjatë periudhës 2008–2012, ushtroi funksionin e Drejtorit të Filialit të EVN Maqedoni në Gostivar, duke mbajtur përgjegjësi të drejtpërdrejtë për drejtimin, organizimin dhe administrimin e filialit, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe financiare, si dhe koordinimin e aktiviteteve operative dhe përmbushjen e objektivave të kompanisë.
Në periudhën 2013–2023, shërbeu si konsulent financiar dhe energjetik në Drejtorinë Qendrore të EVN Maqedoni, duke kontribuar në analizat financiare, vlerësimin ekonomik dhe përmirësimin e proceseve të menaxhimit.
Prej gushtit 2023, është anëtar i Bordit Drejtues të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku kontribuon në rregullimin ekonomik, mbikëqyrjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve të energjisë elektrike, derivateve të naftës, energjisë termike dhe shërbimeve të ujit.
