Biography
Arsim Fetahu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, me specializim në Ngrohje, Ventilim dhe Klimë. Me mbi 20 vite përvojë në sektorin e energjisë termike dhe ndërmarrjeve publike, ai ka udhëhequr projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë projektin strategjik të koogjenerimit me termocentralin “Kosova B” gjatë punës së tij shumëvjeçare në N.P. “Termokos” Sh.A. Prej vitit 2023, ai është Kryeshef Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A., ku ka drejtuar transformimin e kompanisë drejt efikasitetit, qëndrueshmërisë dhe modernizimit institucional. Nën drejtimin e tij, kompania ka siguruar donacione të rëndësishme nga KfW, Thesari Francez dhe Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim (SDC), duke zbatuar projekte kapitale për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit. Z. Fetahu është i përkushtuar ndaj qeverisjes së mirë, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ujit në Kosovë.
