SH.T. Linda Çavdarbasha
Biography
Znj. Linda Çavdarbasha është emëruar Zëvendësministre e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës më 6 Prill 2021.
Ajo është ekologe dhe aktiviste e përkushtuar me përvojë solide në zbatimin e projekteve që mbështesin jetesën e qëndrueshme dhe zhvillimin e gjelbër në Kosovë. Bazuar në interesat e saj kërkimore dhe të avokimit, ajo ka mbajtur detyra që mbështesin dhe promovojnë ruajtjen e jetesës së qëndrueshme, mbrojtjen e biodiversitetit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër qarkore dhe edukimin e gjeneratave të reja mbi çështjet mjedisore.
Ajo ka përvojë në menaxhim të projekteve të BE-së dhe donatorëve tjerë të huaj si rezultat i angazhimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe kombëtare si: Associazione Trentino con i Balcani, Local Democracy Agency of Kosovo dhe Let’s Do It Peja.
Që nga Nëntori i vitit 2019-Prill 2021, ajo ka qenë delegate në Agjencionin për Demokraci Lokale në Kosovë i cili është pjesë e ALDA-Europe dhe Rrjetit Ballkanik për Demokraci Lokale (rrjet rajonal që përfshinë shtetet e Ballkanit Perëndimor).
Znj. Çavdarbasha është e diplomuar në Fakultetin e Biologjisë- dega Ekologji- Mbrojtje e Mjedisit, pranë Universitetit të Prishtinës. Ka vazhduar studimet Master në po të njëjtën degë dhe ka përfunduar një semestër në Departamentin e Biologjisë, Universiteti i Konstanz në Gjermani.
Znj. Çavdarbasha i përket subjektit politik Alternativa.
Ajo lindi në Pejë më 1994, dhe banon në Prishtinë. Ajo disponon njohje të shkëlqyer të gjuhës angleze dhe gjermane bazike.